“Travel off Path”: Shqipëria mes vendeve më të mira në Evropë për nomadët digjitalë
2024-02-05 13:23:44

foto: VCG

foto: VCG

Evropa ka qenë një magnet për nomadët digjitalë kohët e fundit, personat që kërkojnë të udhëtojnë në shumë vende ndërsa punojnë në distancë, thuhet në një artikull të “Travel off Path”. Sipas tij, destinacioni i parë në listë është Shqipëria, përcjell “ATSH”.

“Ky është një vend që i ka të gjitha cilësitë e një destinacioni thelbësor mesdhetar, ka plazhe të pacenuara të përqafuara nga ujërat e kristaltë, kuzhinë të shijshme, mot të shkëlqyer dhe një histori magjepsëse”,- shkruan “Travel off Path”.

Dallimi i vetëm, sipas revistës, është se ndryshe nga Italia, Greqia, apo ndonjë vend i Evropës Jugore në afërsi, Shqipëria nuk është në Eurozonë dhe çmimet janë shumë më të ulëta se mesatarja.

“Kushton vetëm 1145 dollarë në muaj për të jetuar në Tiranë, kryeqyteti i saj i gjallë dhe bregdeti nuk është shumë i shtrenjtë. Shqipëria vlerësohet për stilin e jetesës, vendasit miqësorë, motin e ngrohtë gjatë gjithë vitit, (mesatarisht 16 gradë celcius në bregdet në dimër) dhe po aq e rëndësishme, për kulturën e kafeneve, më e dukshme në Tiranë dhe perceptimin e lartë të sigurisë”,- shkruan “Travel off Path”. (Fatosi)