BE, frikë se konflikti në Gazë mund përhapet në të gjithë rajonin
2024-02-04 18:38:40

foto: VCG

foto: VCG

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin rreth njoftimeve se ushtria izraelite po synon të vijojë betejën kundër militantëve të Hamasit në qytetin Rafah, që ndodhet në kufirin mes Rripit të Gazës me Egjiptin. Mbi 1 milion palestinezë janë zhvendosur në këtë qytet për t’u shpëtuar luftimeve. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha të shtunën se konflikti ka të ngjarë të përhapet në të gjithë rajonin nëse nuk arrihet një armëpushim.

Në qytetin Rafah, që ndodhen në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit, janë zhvendosur mbi 1 milion vetë, në një përpjekje për t’i shpëtuar luftimeve mes ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hamasit.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian shprehën shqetësimin mbi mundësinë e përhapjes së konfliktit mes një situate të tensionuar në rajon edhe nga sulmet e fundit ajrore amerikane ndaj dhjetëra objektivave në Irak dhe Siri, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së tre ushtarëve amerikanë.

“Izraeli po vijon aktivitetin e tij ushtarak në jug, duke i shtyrë njerëzit drejt kufirit egjiptian. Ka 1 milion njerëz që janë zhvendosur në mënyrë progresive drejt kufirit egjiptian. Ata thanë se kjo do ishte një zonë e sigurt. Por në fakt, çfarë po shohim është se bombardimet po prekin popullatën civile dhe kjo po krijon një situatë shumë të rëndë”, tha Josep Borrell, Shefi i politikës së jashtme të BE-së.

Deklaratat e shefit të politikës së jashtme të BE-së pasuan paralajmërimin që bëri të enjten ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant. Ai tha se pasi trupat izraelite të “pastrojnë qytetin jugor të Khan Younis, nga ku janë larguar dhjetëra mijëra njerëz, ata do të shkojnë në Rafah”. Por zoti Gallant nuk dha një afat kohor se kur do të nisë operacioni atje.