Kthehen nga arkivat amerikane mbi 8 mijë dokumente për Shqipërinë
2024-02-04 17:58:49

Arkivi (Foto Rtsh)

Arkivi (Foto Rtsh)

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) njoftoi se janë kthyer mbi 8 mijë dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kjo tërësi dokumentesh, e marrë nga arkivat amerikane, së bashku me dy kolana gazetash, përfshirë “Albania”-n e themeluar nga Faik Konica, kalojnë nën zotërimin e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), si rezultat i aktit të dhurimit të kryer prej studiuesit Artan Hoxha, bën të ditur “RTSH”.

“Sikurse ka dëshmuar edhe precedenca e akteve të dhurimit, materialet dokumentare dhe fotografike të marra në dorëzim prej DPA-së kanë shërbyer për pasurimin e fondeve, duke ofruar edhe shtysa për nisjen e hulumtimeve të reja. Kujtojmë dhurimin e arkivit vetjak të ngjeshur të poetit Lasgush Poradeci (2017) dhe të veprimtarit politik Rauf Fico (2018)”, - u shpreh kreu i DPA-së, Ardit Bido.

Në AQSH mbahen edhe dorëshkrime të shumta të Musine Kokalarit, në përmbushje të vullnetit të saj që një pjesë e dorëshkrimeve të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit, pranë Sotir Kolesë”. (Irma)