Kryeministri Xhaferi: Anëtarësimi në BE, synim strategjik i Maqedonisë së Veriut
2024-02-04 18:31:19

Xhaferi (Foto Atsh)

Xhaferi (Foto Atsh)

Kryeministri i qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, priti në një takim deputetin evropian Ilham Quçuk, raportues në Parlamentin Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në një deklaratë të qeverisë maqedonase, cituar nga “ATSH”, thuhet se gjatë takimit u diskutua mbi përparimin e shtetit në kontekst të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe për situatën e brendshme politike para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale.

Kryeministri Xhaferi theksoi se anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Maqedonisë së Veriut, ndërsa përmbushja e detyrimeve që janë pjesë e kornizës së negociatave me BE-në është një angazhim i fuqishëm i qeverisë.

“Xhaferi dhe Quçuk shkëmbyen qëndrime për reformat e arritura në vend, si dhe për dinamikën e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se vazhdimi i procesit të zgjerimit është në interes të BE-së dhe se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohen në forcimin e zbatimit të proceseve reformuese”,- thuhet në njoftimin e qeverisë maqedonase. (Irma)