Bullizmi online, ankesa kryesore në Linjën Kombëtare për Internet të Sigurt gjatë vitit 2023
2024-02-04 18:19:39

foto: VCG

foto: VCG

Bullizmi online është ankesa kryesore në platformën kombëtare për internet të sigurt. Objekt i tij janë jo vetëm të rinjtë, por në mjaft raste edhe vetë institucionet arsimore, bën të ditur “RTSH”.

“Ka ndryshuar nga raporti që përgjithësisht ka pasur të bëjë me dhunë, ngacmime seksuale në internet, bullizmi për herë të parë ka kaluar në ankesën kryesore të fëmijëve dhe adoleshentëve”,- tha drejtori i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve, Altin Hazizaj.

Ai thotë se jo pak nxënës kanë raportuar të jenë viktima të bullizimit në institucionet arsimore, kryesisht nga bashkëmoshatarët e tyre.

“Janë diku përafërsisht 15-20% e nxënësve në shkollë që flasin për bullizëm”, - u shpreh Hazizaj.

Qendra për mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri iu ka adresuar disa rekomandime edhe autoriteteve, ku ndër të tjera u kërkon të ndërtojnë politika arsimore, të zbatojnë programe gjithëpërfshirëse dhe të ndërhyjnë në mënyrë aktive për të nxitur mekanizmat e raportimit.

“Shkollat duhet të jenë të sigurta, që do të thotë tolerancë zero ndaj çdo forme të dhunës dhe bullizmit”,- theksoi Hazizaj.

Sipas Hazizajt, beteja ndaj bullizmit mbi të gjitha kërkon një bashkëpunim mes të gjithë aktorëve, që nga institucionet arsimore e deri te shoqëria civile.  (Irma)