Popullsia mbi 65 vjeç në Shqipëri do të jetë sa 80% e forcës së punës në 2070-n
2024-02-04 18:05:53

Te moshuar (Foto Panorama)

Te moshuar (Foto Panorama)

 

Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë në vitet në vijim që të ofrojë një jetë dinjitoze për pensionistët.

E para, shumica e atyre që punojnë aktualisht nuk paguajnë sigurime dhe e dyta plakja e shpejtë e popullsisë po rrit varësinë e moshave të vjetra ( ky raport shpreh popullsinë +65 në përqindje të forcës së punës 15-65 vjeç).

Në vitin 2023, Shqipëria e kishte grupmoshën  mbi 65 vjeç sa 25% e forcës së punës (15-65 vjeç),  në nivele të krahasueshme rajonale, shkruan “Panorama”. Por zhvillimet e pafavorshme demografike do të bëjnë që në vitin 2070, grupmosha +65 të jetë sa 80% e forcës së punës (15-65 vjeç), përllogarit Fondi Monetar Ndërkombëtar në rishikimin e fundit të marrëveshjes me Shqipërinë. Varësia e të moshuarve në Shqipëri në vitet 2070 do të jetë në nivelet më të larta rajonale. Kjo do të thotë se në dekadat në vijim popullsia në moshë pune do të barazohet me pensionistët. Por zhvillimet reale të popullsisë, të cilat në dekadën e fundit kanë shkuar më keq se projeksionet, i bëjnë edhe më trishta zhvillimet.

Vitin e kaluar, pensioni mesatar në vend arriti në 19.000 lekë (rreth 200 dollarë) në muaj. Fondi Monetar Ndërkombëtar vë në dukje se në të ardhmen ka të ngjarë që më shumë njerëz të marrin vetëm pensione të pjesshme, pensione sociale për shkak të kohëzgjatjes së pamjaftueshme të kontributit.

FMN këshillon qeverinë të adresojë mbulimin e dobët të popullsisë në moshë pune me sigurime. Për arritur këtë Fondi rekomandon stimuj për të rriturit në moshë pune që të paguajnë sigurime. (Irma)