Sulmi nga hakerët, INSTAT-i: Nuk janë prekur të dhënat e censit
2024-02-03 11:25:10

Foto RTSH

Faqja zyrtare e Institutit të Statistikave në Shqipëri është sulmuar nga hakerët e “Homeland Justice”. Grupi iranian e mori përsipër sulmin me një postim në “Telegram”.

INSTAT-i njoftoi se po punon për ta bërë faqen sërish të aksesueshme me ndihmën e ekspertëve, për të hetuar, identifikuar burimin dhe motivet e sulmit kibernetik, shkruan “RTSH”.

Sipas INSTAT-it, të dhënat e censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi, pasi janë ruajtur në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për atë qëllim.

“INSTAT ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi. INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore. Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi. INSTAT siguron publikun se të dhënat e censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim. INSTAT po bashkëpunon ngushtë me autoritetet kompetente për të hetuar dhe identifikuar burimin dhe motivet e sulmit kibernetik dhe gjithashtu për të rikthyer funksionimin normal të sistemeve të saj informatike dhe për të forcuar masat e sigurisë kibernetike”,- shkruhet në reagimin e INSTAT-it. (Irma)