Në Gjermani nis projekti pilot për punën katër ditë në javë
2024-02-03 12:26:23

Puna 4 dite ne jave (Foto Panorama)

45 kompani dhe organizata në Gjermani pritet të fillojnë projektin pilot për punë katërditore në javë brenda për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Punonjësit do të marrin pagë të plotë, edhe pse kalojnë dukshëm më pak kohë në zyrë (ose në punë në shtëpi). E gjitha kjo është iniciuar nga firma e konsulencave “Intraprenör”, e cila punon me organizatën jofitimprurëse “4 Day Week Global (4DWG)”, shkruan “Panorama”.

Përkrahësit e idesë thonë se një javë katërditore pune do të ndihmonte në mungesën e punëtorëve të kualifikuar, sepse rrit produktivitetin e punonjësve. Sipas tyre, ata që punojnë vetëm katër ditë në vend të pesë ditëve janë më të motivuar për punë dhe për këtë arsye më produktivë. Përveç kësaj, kjo mund të sjellë në punë njerëz që nuk janë të përgatitur të punojnë pesë ditë. Kjo do të reduktonte mungesën e punëtorëve të kualifikuar.

Java e punës katërditore është testuar tashmë në praktikë. Që nga viti 2019, organizata “4DWG” ka drejtuar programe të tilla pilot në Britaninë e Madhe, Afrikën e Jugut, Australi, Irlandë dhe SHBA. (Irma)