Nuk regjistrohet asnjë rast për gripin e shpendëve dhe murtajës afrikane të derrave në Shqipëri
2024-02-03 11:28:47

Foto RTSH

Gripi i shpendëve tashmë është kthyer në një sëmundje sezonale, pak a shumë e hasur nga fillimi i pranverës deri nga fundi i verës.

Gjatë një interviste për “RTSH”-në, epidemiologu veterinar dhe njëkohësisht pedagog në Universitetin Bujqësor, Kujtim Mersini, deklaroi se deri tani në Shqipëri nuk ka raste të gripit të shpendëve apo të murtajës afrikane të derrave.

Ai thekson se virusi i gripit të shpendëve kalon aksidentalisht te njeriu, por pa sjellë asnjë risk real për jetën. Sipas tij, problemi nuk është kryesisht tek shëndeti i njeriut sesa tek dëmi që shkakton në ekonominë e shpendëve pasi ka një mortalitet të lartë.

Lidhur me murtajën afrikane, eksperti thotë se mbetet një problematikë e gjerë për sa i përket derrave të egër, pasi ata nuk njohin kufij.

Sipas epidemiologut veterinar, për murtajën afrikane të derrave nuk ka vaksinë të licencuar, çka do të thotë se ka vetëm dy mënyra, rritja e normës së biosigurisë nga fermerët dhe asgjësimi 100% i kafshëve në fermën që ka rënë sëmundja, si e vetmja formë e minimizimit të përhapjes. (Irma)