Protesta e fermerëve evropianë në Bruksel degjeron në kaos e shkatërrime
2024-02-03 12:30:02

Protesta e fermereve ne Bruksel (Foto Rtsh)

Fermerë nga një sërë vendesh të Evropës protestuan jashtë zyrave qendrore të Bashkimit Europian në Bruksel, duke bllokuar hyrjet e disa rrugëve me traktorë. Ata hodhën lëndë plasëse në drejtim të policisë dhe ndezën zjarre. Protestuesit kërkojnë nga udhëheqësit e BE-së t’u ofrojnë mbështetje përballë rritjes së çmimeve, të taksave dhe rregullave evropiane që sipas tyre po u shkaktojnë vështirësi, shkruan “RTSH”.

Kjo protestë shënon kulmin e manifestimeve të fermerëve në disa shtete evropiane si Italia, Spanja, Greqia, Portugalia, Franca e të tjera, duke pretenduar se po vuajnë pasoja të rënda për shkak të rritjes së kostove të lëndëve kimike për të mbjellat e tyre, kostove për energjinë dhe konkurrencës me produktet më të lira të importit.

Protestat në Evropë po mbahen ndërkohë që e djathta ekstreme, që po gëzon rritje të mbështetjes nga fermerët, po synon të arrijë fitore në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në muajin qershor.

Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën planet për të mbrojtur fermerët nga mallrat më të lira të importit nga Ukraina gjatë periudhës së luftës si edhe të lejojë femerët që të pordorin toka, që deri tani ishin lënë djerrë për arsye mjedisore. Megjithatë fermerët thonë se këto masa nuk janë të mjaftueshme, pasi ata po përballen me taksa të larta dhe me konkurrencë të pandershme nga jashtë. (Irma)