Kryeministri Rama: Digjitalizimi i shërbimeve financiare, zgjidhje alternative për informalitetin
2024-02-03 12:05:16

Foto Rtsh

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një takim me përfaqësues të sistemit bankar dhe të industrisë së re “Fintech”, ku u diskutua mbi nevojën për shtrirjen e modernizimit të shtetit në digjitalizimin e shërbimeve financiare.

Ai deklaroi se ofrimi i sa më shumë zgjidhjeve alternative në fushën e pagesave, mundëson uljen e kostove të transaksioneve, informalitetit dhe qarkullimit të parave në dorë, shkruan “RTSH”.

Kryeministri Rama ka deklaruar se Shqipëria nuk mund të jetë kurrsesi një vend i mbyllur karshi inovacionit në sistemin bankar.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria duhet të mësohet me inovacionin, sepse është një prej drejtimeve në të cilat vendit duhet të shkëlqejë në Europë.

“Ne nuk mund të jemi një vend që mbetet shumë i mbyllur karshi inovacionit në sistemin bankar; s’mund të jemi një vend që mbetet ende shumë i kapur në një boshllëk midis mënyrës së si është i ndërtuar dhe funksionon sistemi financiar shqiptar dhe mënyrës se si është ndërtuar e funksionon sistemi financiar i ekonomisë familjare; dhe s’mund të jemi një vend që vazhdon me një volum cash-i të papranueshëm në qarkullim; s’mund të jemi një vend që kërkon formalizimin e ekonomisë në rrugën tradicionale të inspektimeve fizike dhe gjobave që kanë rezultuar në të shumtën e herës metodë e pasuksesshme. Nuk mund të jemi një vend ku bankat mbeten shumë larg nevojës së ekonomisë kur vjen puna te shpejtësia dhe eficenca e transaksioneve. Shqipëria duhet të mësohet me inovacionin”,- tha kryeministri Rama. (Irma)