Britania mund ta njohë shtetin palestinez përpara arritjes së një marrëveshjeje paqeje me Izraelin
2024-02-03 12:24:12

Cameron (Foto Panorama)

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mund ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez, pas një armëpushimi në Gaza, pa pritur për rezultatin e bisedimeve shumëvjeçare midis Izraelit dhe palestinezëve për një zgjidhje me dy shtete, shkruan “Panorama”.

Gjatë një vizite në Liban, me qëllim uljen e tensioneve rajonale, Cameron tha për “Associated Press” se nuk do të ketë asnjë njohje ndërsa Hamasi vazhdon të jetë në Gaza. Sipas tij, njohja mund të vijë ndërsa vazhdojnë negociatat mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Njohja nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara e një shteti të pavarur palestinez nuk mund të vijë në fillim të procesit, por nuk duhet të jetë në fund të procesit. Mund të jetë diçka që merret në konsideratë, pasi procesi dhe përparimi drejt një zgjidhjeje, bëhet më real. Ajo që duhet të bëjmë është t’i japim popullit palestinez një mundësi drejt një të ardhmeje më të mirë, të ardhmes për të pasur shtetin e tyre. Kjo perspektivë është absolutisht jetike për paqen dhe sigurinë afatgjatë të rajonit”, tha Cameron.

Ai theksoi se hapi i parë duhet të jetë një pauzë e luftimeve në Gazë, që përfundimisht do të shndërrohej në një armëpushim të përhershëm dhe të qëndrueshëm.

Sipas Cameron, në mënyrë që Britania ta njohë një shtet palestinez, udhëheqësit e grupit militant Hamas duhet të largohen nga Gaza, sepse nuk mund të ketë një zgjidhje me dy shtete me Gazën ende të kontrolluar nga individët përgjegjës për 7 tetorin, duke iu referuar sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Gaza. (Irma)