Ministri Mete: Inovacioni në sistemin financiar i shërben zhvillimit ekonomik të vendit
2024-02-03 11:56:40

Ministri Mete (Foto Rtsh) 

Ministri i Financave, Ervin Mete, deklaroi se digjitalizimi dhe qasja ndaj teknologjisë është kthyer në një objektiv kryesor dhe ndërsektorial jo vetëm në Shqipëri, por edhe në më gjerë në nivel europian apo botëror.

Ndërsa mori pjesë në takimin me temë “Inovacioni në sistemin financiar”, ministri Mete solli në vëmendje disa prej zhvillimeve pozitive të shënuara në sektorin financiar në vitet e fundit sa i përket digjitalizimit dhe theksoi faktin se inovacioni dhe digjitalizimi në këtë sektor i shërben jo vetëm zhvillimit të tij, por edhe ekonomisë në tërësi, shkruan “RTSH”.

Po ashtu, ministri Mete theksoi se është e nevojshme një qasje e strukturuar, së bashku me aktorët e sektorit financiar dhe institucionet rregullatore, për të pasur një strategji edhe në përfshirjen financiare, sepse për reduktimin e parave “cash” duhet të ketë edhe një rritje të përfshirjes financiare.

“Ka modele të avancimit dhe të përfshirjes financiare të qytetarëve në sektorin bankar, e duke theksuar këtu edhe edukimin financiar që në vetvete, nëse bëhet siç duhet, është një ndihmues dhe komponent i rëndësishëm edhe i përfshirjes më të gjerë nëpërmjet përdorimit të fintech”, tha ministri në fjalën e tij.

Në takim ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, si edhe drejtues të Shoqatës së Bankave, sektorit bankar dhe institucioneve të parasë elektronike.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth çështjeve dhe sfidave që lidhen me zhvillimet inovative në sektorin financiar. (Irma)