2024, Ekonomia globale dhe kontributi i Kinës në rritjen ekonomike globale
2024-02-02 14:49:07

Ekonomia kineze rritja në 2024 (Foto CMG)

Shkëmbimet eksport-import Shqipëri-Kinë (Foto Revista Monitor)

CMG:  Aktualisht, rimëkëmbja e ekonomisë botërore është e ngadaltë, inflacioni global po vazhdon, tregjet financiare janë të luhatura dhe trysnia e borxhit po rritet. Ekonomitë e të gjitha vendeve po përballen me sfida të mëdha. Cila është panorama e ekonomisë botërore në këtë fillim viti?

Bardhi Sejdarasi: Raporti i fundit i Bankës Botërore bën një analizë pothuajse shteruese që lidhet me ecurinë që do të ketë ekonomia botërore në vitin 2024. Analiza është mjaft e gjerë dhe përfshin të gjithë sektorët e ekonomisë botërore dhe analizon në mënyrë të hollësishme gjithçka, me qëllim për t’i dhënë botës, por dhe analistëve të ekonomisë një panoramë të qartë të asaj që pritet sipas analizave.

Në raportin e Bankës Botërore parashikohet që do të ketë një ngadalësim të ekonomisë globale në tërësi, i cili regjistrohet për të tretin vit radhazi. Nuk ka një recesion por gjithësesi treguesit e ekonomisë janë të tillë që në dekadën e fundit regjistrojnë nivelin më të keq të rritjes në 30 vjet. Kjo në fakt është pak e frikshme sa i përket pritshmërive, por kjo nuk është për të gjitha ekonomitë. Parashikohet që rritja globale të ulet nga 2.6 në 2.4 për qind, që duket një ulje e vogël, por kur bën analizën në tërësi është e konsiderueshme.

Në këtë parashikim ka shumë ndikime. Veçanërisht janë ngjarjet gjeopolitike që shoqërojnë botën, që nga pandemia, e cila vazhdon të ketë efekte, gjithashtu lufta në Ukrainë, por dhe konflikte rajonale të cilat ndikojnë në tregje. Pritet që viti 2024, por dhe 2025 të mos kenë atë parashikim që ka qenë më parë. Trendi është i tillë që ekonomitë e vendeve të ndryshme, të cilat analizohen në raportin e Bankës Botërore të kenë në kujtesë këtë ecuri të pritshme për vitin 2024.

Analisti Bardhi Sejdarasi në intervistë për CMG

CMG: Sa i përket ekonomisë së Europës, pjesë e së cilës ne jemi, a ka ndonjë prognozë  nga institucionet ndërkombëtre për të?

Bardhi Sejdarasi: Po, ka.Pritet që në Eurozonë të ketë një zhvillim pak më të ndryshëm se ekonomia globale, sepse pritet të rritet pak më shumë në vitin 2024. Shifrat variojnë nga 0.4-0.7 për qind të GDP-së së përgjithëshme të Eurozonës, gjë që tregon se ka një trend të ndryshëm, por kjo është e diversifikuar në vende të ndryshme të saj.

Në 20 vende të Eurozonës parashikohet të ketë një rritje që vlerësohet nga Banka Botërore deri në 7 për qind të GDP-së të këtyre vendeve, gjë që e shmang Europën nga pjesa e frikshme e recesionit. Ndërkohë pritet që rënie ekonomike të ketë dhe në SHBA. Institucioni financiar ndërkombëtar pret që rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara,  me një rritje prej 2.5% të ngadalësohet në 1.6% këtë vit pasi normat më të larta të interesit dobësojnë huamarrjen dhe shpenzimet.

CMG: Pas tranzicionit të qetë të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë në Kinë, rimëkëmbja ekonomike është një proces me zigzage dhe është e pashmangshme që të ketë vështirësi e probleme përgjatë këtij procesi. Madje shumë analistë ndërkombëtarë kanë qenë skeptikë, sa i përket ecurisë pozitive të ekonomisë kineze, që sipas tyre, mund të ketë ndikim negativ në ekonominë globale. Kontributi i konsumit në rritjen ekonomike të Kinës është rritur ndjeshëm, si dhe prirja e ngritjes së nivelit të industrive vijon. A janë këto premisa pozitive për ekonominë e dytë të botës dhe me ndikim pozitiv në ekonominë globale?

Bardhi Sejdarasi: Ndikimi i ekonomisë kineze, si ekonomia e dytë e botës veçanërisht treguesit që realizon kjo ekonomi me vendet që bashkëpunon. Kam parasysh dy mbledhje të rëndësishme të zhvilluara në Pekin që janë analiza e bërë nga Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKK-së, por dhe Konferenca Qendrore e Punëve Ekonomike në muajin dhjetor. Në momentin që bëhen këto analiza dhe shoshiten të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur gjatë vitit dhe perspektiva për vitin e ardhshëm, merren parasysh dhe sfidat.

Kina kishte mbikapacitet në sektorë të veçantë siç është tregtia, apo pritshmëri të ulta sociale, një ndikim të kornizës gjeopolitike që ka të bëjë shumë me përpjekjet e Kinës dhe të shteteve të tjera, me të cilat dhe konkuron në ekonomi. Pozitive është që pas mbylljes me një tregues të kënaqshëm dhe të ndryshëm nga të gjitha vendet, që ishte 5.2 për qind të GDP-së të vitit të kaluar dhe parashikimet për vitin 2024  janë pozitive dhe janë më të larta se ato të SHBA-së apo të Eurozonës.

Parashikohet një rritje nga 4.5 deri në 4.8 për qind që është gjithësesi një tregues i mirë që lidhet me atë lloj garancie që kërkon ky nivel i rritjes sepse qeveria kineze ka planifikuar që deri në fund të vitit 2035 të dyfishojë GDP-në . Këto shifra janë ajo tendencë që ka sot ekonomia për të realizuar një synim të caktuar politik dhe ekonomik.

CMG: Kina është një konsumator i madh dhe kjo do të vërehet më së shumti pas një jave që në Kinë kremtohet Festa e Pranverës, ose Viti i ri kinez, kur konsumi do të arrijë në nivelet e veta më të larta. Gjykoni se do të ndikojë kjo rritje e konsumit në rritjen ekonomike të vendit?

Bardhi Sejdarasi: Lidhjet ekonomike të Kinës, veçanërisht tregtia me jashtë dhe mënyra se si është zgjeruar strategjia e kësaj ekonomie doemos që ka ndikim. Unë po përmend tregtinë e jashtme në këtë rast. Por ka dhe tregues të tjerë që në momentin që dëmtohen apo kufizohen në një shtet pa dyshim që ka ndikim, sepse kjo ndodh në një ekonomi globale.

Zhvillimi industrial i Kinës (Foto CGTN)

Shkëmbimet eksport-import Shqipëri-Kinë (Foto Revista Monitor)

CMG: Një tregues tjetër është fuqizimi i turizmit nëpërmjet shtimit të shkëmbimeve midis shteteve. Shumë shtete europiane, përfshirë dhe ne deri para pak kohësh kanë patur një sistem vizash me Kinën. Por që nga viti i kaluar diplomacia kineze ka nisur lehtësimin e vizave, duke ndikuar në rritjen e shkëmbimeve njerëzore, për shembull janë hequr vizat me Shqipërinë, por dhe për 5 vende europiane, si Italia, Spanja. Ndërsa në Forumin e Davosit, që u mbajt para pak kohësh Kina njoftoi heqjen e vizave dhe me Zvicrën. Të gjitha këto ndikojnë në rritjen e shkëmbimeve turistike midis Kinës dhe këtyre vendeve. Opinioni juaj

Bardhi Sejdarasi: Keni shumë të drejtë, sepse treguesit në fushën e turizmit duhen parë në dy kahe.E para ka të bëjë me lëvizjen e qytetarëve kinezë në Europë e më gjerë, e cila ka vlerë të shtuar për shtetet që ata vizitojnë. E dyta, turizmi zhvillon jo vetëm një sektor të ekonomisë, por ndikon dhe në një zinxhir sektorësh të cilën ndihmojnë në fuqizimin e ekonomisë. Veçanërisht një shtet i madh si Kina ka interes që ta zgjerojë gamën dhe natyrën e turistëve që vizitojnë këtë vend dhe këtu përfshihen të gjitha llojet e turizmeve.

Konferenca Qendrore e Punëve Ekonomike hodhi idenë e një projekti shumë interesant të quajtur “Investo në Kinë”, që synon veçanërisht tërheqjen e investimeve të huaja. Janë mundësitë, hapësirat dhe kushtet për të investuar në Kinë dhe nëse i referohem politikës së Bankës Qendrore të Kinës ka disa iniciativa dhe disa lehtësi që çdo investitor i huaj që ka interes të investojë në Kinë i ofrohen.

Rritja mesatare e pagave është një tjetër tregues interesant për Kinën, që shënon një rritje 4.5 për qind çdo vit, por nëse i referohemi Eurozonës kjo është më e ulët.

CMG: Në raportin e fundit të INSTAT thuhet se  Kina është ngjitur në vendin e dytë për sa i përket importeve. Nga  Kina Shqipëria ka blerë 93 miliardë lekë mallra, ose 10.7% e totalit. Importet nga Kina u rritën ndjeshëm me 21% me bazë vjetore. Produktet kryesore janë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi (48.5%), të cilat kanë shënuar dhe rritjen më të madhe, Tekstile dhe këpucë (15.1%), Materiale ndërtimi dhe metale (14.3%).  Mendoni se ka hapësira të tjera për shtimin e shkëmbimeve midis dy vendeve në fusha të ndryshme?

Bardhi Sejdarasi: Kohët e fundit ka përpjekje të dyanëshme të kompanive shqiptare dhe kineze që duan të vendosin lidhje më të fuqishme. Unë i jam referuar shkëmbimeve që nga viti 2019 kur shifra e shkëmbimeve ka qenë 59,727 milionë lekë dhe në vitin 2023 arriti në 93,750 milionë lekë dhe bëhet fjalë për një dyfishim. Kjo tregon se ka hapësira, mundësi dhe fusha që mund të zhvillohet dhe rriten shkëmbimet midis dy vendeve.

Kohët e fundit ka një trend interesant që lidhet veçanërisht me mjetet motorike. Qeveria kineze po investon në një sistem të ri makinash elektrike. Këto ditë nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithëshme të Doganave ku ishin 6970 udhëtime importuese drejt Kinës. Në listën e atyre që kishin importuar gjatë vitit 2023 ishte shifra e mësipërme që pasqyron shkëmbimet. Ka interes për të sjellë makineri, pajisje, mjete motorike dhe makineri bujqësore.

Gjithashtu në e-commerce që tek ne është një trend i ri kishte individë që kishin siguruar kontrata të mira me kompani kineze dhe importonin. E njejta gjë ndodh dhe me rritjen e eksporteve nga Shqipëria  në drejtim të Kinës. Kjo është një gjë e mirë sepse rritja e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve është në të mirë të ekonomive të tyre.

Intervistoi Eda Merepeza