Rezerva valutore arrin rekord, u rrit me 18% në vitin 2023
2024-02-02 16:35:18

Foto Panorama

Rezerva valutore arriti një rekord të ri historik në vitin 2023. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 5.85 miliardë eurove. Vlera e mjeteve të rezervës valutore është rritur me 18%, ose 895 milionë euro, krahasuar me fundin e vitit 2022, shkruan “Panorama”.

Rezerva valutore e vendit administrohet nga Banka e Shqipërisë dhe në pjesën më të madhe mbahet në tituj borxhi dhe në depozita. Në fund të vitit të kaluar, titujt e borxhit përbënin afërsisht 71% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në “cash” përbënin 21% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, si dhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend.

Një nga kriteret kryesore në përcaktimin e vlerës minimale të nevojshme të rezervës valutore është arritja e një vlerë të mjaftueshme për të mbuluar të paktën katër muaj importe, ndërsa sipas statistikave të tregtisë së jashtme, në fund të vitit të kaluar rezerva valutore e vendit mbulonte më shumë se tetë muaj importe, duke qenë dukshëm sipër objektivave të saj minimale.

Rezerva valutore mund të shërbejë edhe si instrument për të mbështetur me likuiditet në valutë sektorin financiar apo për të stabilizuar goditje në kursin e këmbimit valutor.

Rritja e rezervës valutore realizohet kryesisht nëpërmjet blerjeve të valutës në tregun e brendshëm valutor. Kalendari i ndërhyrjeve parashikon që shuma e synuar për t’u blerë nëpërmjet ankandeve për vitin 2024 do të jetë në intervalin mes 250 milionë eurove dhe 330 milionë eurove. (Irma)