Ministrja Kumbaro: Viti turistik 2024, i rezervuar deri tani në mbi 30% më shumë se vjet
2024-02-02 16:11:24

Ministrja Kumbaro (Foto Facebook Ministria e Turizmit)

Panairi i Turizmit (Foto Facebook Ministria e Turizmit)

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi se viti turistik 2024 në Shqipëri është i rezervuar deri tani, në mbi 30% më shumë se një vit më parë, shkruan “ATSH”.

E pranishme në panairin “Tourism & Travel Show Albania”, i zhvilluar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ministrja theksoi se Shqipëria është kthyer në një destinacion trend dhe se zhvillimi i saj turistik po njeh përparim të dukshëm në rajon e më gjerë.

“Mbi 400 takime mes bizneseve gjatë dy ditëve të panairit, u premtuan eksperienca më të suksesshme për vitin turistik 2024, i rezervuar tashmë në mbi 30% më shumë se një vit më parë dhe këtë e raportojnë vetë turoperatorë”,- tha ministrja Kumbaro.

Sipas saj, panairi “Tourism & Travel Show Albania”, i organizuar nga “Iceberg Exhibitions” dhe “NewDeal Europe”, që prezantoi produktin turistik shqiptar nga 100 ekspozues, ofroi mundësi të mëdha të shkëmbimeve të përvojave dhe kontakteve me blerësit ndërkombëtarë të interesuar për ofertën shqiptare nën moton e turizmit të qëndrueshëm e në respekt me mjedisin. (Irma)