FMN: Qeveria shqiptare parashikon rivendosjen e TVSH-së në sigurime në vitin 2026
2024-02-02 16:30:02

Tvsh ne sigurime (Foto Panorama)

Në raportin e fundit për Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) shkruan se qeveria shqiptare mund të rikthejë aplikimin e tatimit mbi vlerën e shtuar në sigurime në vitin 2026.

Mbështetur në informacionin e Ministrisë së Financave, FMN-ja rendit vendosjen e TVSH-së në sigurime si një ndër masat pjesë e strategjisë afatmesme të të ardhurave, shkruan “Panorama”.

Sigurimi i jo-jetës ka qenë i përfshirë në skemën e TVSH-së në Shqipëri deri në vitin 2014. Nga 1 janari 2015, sigurimet u trajtuan si furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, në përputhje me direktivën përkatëse të Bashkimit Europian. Megjithatë, mbi tarifat e sigurimit u aplikua taksa e primit të sigurimit, në masën 3% deri në vitin 2016 dhe më pas 10%, shkallë që vazhdon të jetë në fuqi edhe sot.

Në raportin e FMN-së nuk saktësohet masa e TVSH-së që synohet të aplikohet, por, mbështetur në sugjerimet e mëparshme nga vetë FMN-ja, pritet që sigurimi i jo-jetës të përfshihet në skemën e TVSH-së me tarifë standarde 20%.

Futja në skemën e TVSH-së do të zëvendësonte taksën e primit të sigurimit, që do të përkthehej me një ndryshim të shkallës tatimore me 10 pikë përqindje.

Industria e sigurimeve është shprehur në të gjitha rastet kundër rikthimit të TVSH-së. Prej vitit 2021 ka kërkuar zyrtarisht nga qeveria uljen e taksës mbi primin për produktet vullnetare të sigurimit jo-jetë, nga 10% që është aktualisht në nivelin 2%. Siguruesit e kanë motivuar propozimin e tyre me nevojën për të lehtësuar konsumatorin e produkteve vullnetare dhe për të motivuar zgjerimin e mëtejshëm të këtij tregu.

Sipas siguruesve, ulja e taksës mbi primin për sigurimet vullnetare do të sillte një mbështetje për qytetarët, të cilët janë të pambrojtur nga rreziqet shëndetësore dhe materiale, duke lehtësuar indirekt dhe barrën fiskale që përballon shteti shqiptar, pasi këto shpenzime do të mbulohen nga shoqëritë e sigurimeve.  (Irma)