Italia, Franca dhe Greqia ofrojnë të udhëheqin misionin detar të BE-së në Detin e Kuq
2024-02-02 16:46:16

Anije ne Detin e Kuq (Foto Rtsh)

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, deklaroi se vendi i tij, së bashku me Francën dhe Greqinë, kanë ofruar të udhëheqin misionin detar të mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE), që synon të mbrojë anijet nga sulmet e rebelëve Houthi të Jemenit në Detin e Kuq, transmeton agjencia turke “Anadolu”, citon “RTSH”.

“Italia, Greqia dhe Franca kanë dhënë disponueshmërinë e tyre për të udhëhequr misionin. Spanja ofroi të jetë mikpritëse me selinë e saj. Nuk është një garë. Gjëja e rëndësishme është se do të jetë një mision i përbashkët dhe do të përfshijë numrin më të madh të vendeve evropiane”,- tha Crosetto pas takimit me homologët e tij evropianë.

Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, që nga nëntori kanë shënjestruar anijet tregtare në Detin e Kuq, veçanërisht ato të destinuara për në Izrael. Ata thonë se sulmet e tyre synojnë të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të ndalur sulmin vdekjeprurës në Rripin e Gazës, duke shkaktuar që edhe SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar të nisin sulme ajrore kundër objektivave brenda Jemenit.

Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit. (Irma)