BE shtyn rregullin e ri të gjelbër në përpjekje për të qetësuar fermerët protestues
2024-02-02 16:43:42

Protestat e fermereve (Foto Panorama)

Bashkimi Evropian njoftoi se do të shtyjë rregullin e ri që do t’i detyronte fermerët të linin mënjanë tokën, për të inkurajuar biodiversitetin dhe shëndetin e tokës, shkruan “Panorama”.

Rreth 10.000 fermerë francezë kanë bërë 100 bllokada në rrugët kryesore anembanë vendit, pasi 18 fermerë u arrestuan për bllokimin e trafikut ndërsa përpiqeshin të arrinin në tregun e ushqimit me shumicë në Rungis, në juglindje të Parisit dhe 79 të tjerë u ndaluan pasi arritën të futeshin brenda.

Fermerët belgë iu bashkuan protestave në kufirin francez dhe të tjerë bllokuan rrugët hyrëse në portin e kontejnerëve Zeebrugge për të dytën ditë. Protesta pati po ashtu edhe nga fermerët spanjollë dhe italianë.

Nënkryetari i Komisionit Evropian, Maros Sefcovic, e përshkroi vendimin për të shtyre rregullat për lënien mënjanë të tokës, e cila pritet të vuloset nga vendet anëtare brenda 15 ditëve, si një ndihmë për sektorin në një kohë të vështirë.

Duke përmendur përmbytjet, zjarret në Greqi, valët e të nxehtit në të gjithë Evropën jugore dhe thatësirën në Spanjë, e cila ka lënë rezervuarët në Andaluzi në 20% nivele normale, ai tha se ishte e rëndësishme të dëgjohen fermerët dhe të shmanget polarizimi që po vështirëson bisedimet.

Sipas rregullave, fermerët pritej të mbanin 4% të tokës së tyre të punueshme pa prodhim bimor, në përpjekje për të rigjeneruar shëndetin e tokës dhe për të rritur biodiversitetin, i cili gjithashtu është në krizë. Fermerët mund të kishin një përjashtim nga ky rregull nëse do të kishin përdorur 7% të tokës së tyre për kulturat si tërfili, i cili siguron mbulim për tokën pas korrjes së të korrave kryesore.

Megjithatë, sipas propozimeve të reja, fermerët nuk do të jenë të detyruar të lënë mënjanë tokën djerrë, ose ndonjë pjesë të tokës për kulturat e kapura, deri në vitin 2025. Ndryshimi vjen pasi protestat e fermerëve janë intensifikuar. (Irma)