Letonia nuk do të ndalojë tranzitin e drithërave ruse
2024-02-02 15:31:19

Presidenti letonez (Foto Msn)

Letonia nuk do të ndalojë tranzitin e drithërave ruse dhe bjelloruse në vendet e tjera të Bashkimit Evropian (BE), deklaroi ministri i Bujqësisë, Armands Krauze, pas takimit të qeverisë, citon “Xinhua”.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Krauze shpjegoi se Ministria e Bujqësisë kishte filluar tashmë punën për një projektligj, i cili do të kërkonte që gjatë importimit të drithit në Letoni, do të ishte e nevojshme të tregohej nëse destinacioni i grurit ishte Letonia apo një vend tjetër i BE-së.

Drithërat me origjinë nga Rusia dhe Bjellorusia nuk do të lejohen të importohen në Letoni. Megjithatë, si pjesë e tregut të brendshëm evropian, Letonia nuk ka të drejtë të kufizojë kompanitë nga shtetet e tjera anëtare që të transportojnë grurë rus përmes Letonisë në destinacionet e tyre.

Më 29 janar, koalicioni qeveritar vendosi të ndalojë importet e grurit rus dhe bjellorus në Letoni. Krauze vuri në dukje se Këshilli i Bujqësisë dhe Peshkimit i BE-së pritet të marrë në konsideratë një ndalim të gjerë të BE-së për importet ruse të grurit, me Lituaninë dhe Estoninë që mbështesin pozicionin e Letonisë. Krauze tha se kompanitë dhe fermerët që blejnë dhe përdorin grurin rus nuk do të kenë të drejtë për ndihmë shtetërore. Ky rregull zbatohet për mekanizmat mbështetës të paguar që nga 1 janari i këtij viti.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar Letonia ishte importuesi i dytë më i madh i produkteve bujqësore dhe ushqimore ruse në BE pas Spanjës. (Irma)