SHBA dhe NATO, me front të përbashkët në përkrahje të Ukrainës
2024-02-01 14:27:08

Blinken - Stoltenberg (Foto Rtsh)

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një takim në Uashington, theksuan përkrahjen e palëkundur për Ukrainën në konfliktin me Rusinë dhe u bënë thirrje ligjvënësve amerikanë të zhbllokojnë ndihmën ushtarake për t’i dhënë Ukrainës mjetet e nevojshme për të zmbrapsur Rusinë, citon “RTSH”.

Blinken tha se ndihma që SHBA-ja dhe aleatët e saj në NATO i ofruan Ukrainës është e pashembullt, ashtu si dhe fronti i përbashkët i tyre për t’u siguruar që Ukraina të jetë e përgatitur për t’u përballur me Rusinë.

“Përkrahja që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës është e jashtëzakonshme, rreth 75 miliardë dollarë në dy vitet e fundit. Por partnerët dhe aleatët tanë, në veçanti aleatët kryesorë të NATO-s, kanë dhënë mbi 110 miliardë dollarë gjatë të njëjtës periudhë. Barra që kemi ndarë në rastin e Ukrainë, qoftë në drejtim të përkrahjes ushtarake, asaj ekonomike dhe humanitare, ka qenë e jashtëzakonshme. Por, për të siguruar vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje, që të gjithë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të garantuar suksesin e Ukrainës ndaj Rusisë, që ajo mos të dështojë në aspektin strategjik, është e domosdoshme për kongresin të miratojë kërkesën e presidentit për fondet shtesë”,- deklaroi sekretari amerikan i Shtetit.

Bllokimi politik në Kongres ka ngrirë ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën. (Elona)