Nga 5 shkurti hyjnë në fuqi tarifat e reja për patentat
2024-02-01 14:20:19

Drejtoria e Transportit Rrugor (Foto Rtsh)

Nga 5 shkurti 2024 hyjnë në fuqi tarifat e reja për patentat kombëtare dhe ndërkombëtare. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bëri të ditur, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se ka ndërmarrë nismën për lehtësimin e shumë praktikave dhe burokracive që lidhen me shërbimet që ajo ofron, citon “RTSH”.

Në këtë kuadër, nga ana e DPSHTRR-së është bërë rishikimi dhe indeksimi i të gjitha tarifave dhe shërbimeve.

“Nga një analizë e hollësishme rezulton se shtrirja e këtyre shërbimeve në afate kohore, duke eliminuar detyrimin e paraqitjes në sportel, lehtësimin e kalimit nga një kategori në një tjetër, si dhe uljen e shpenzimeve indirekte (përllogaritur këtu në 7.569.450 kilometra vajtje/ardhje, 529.862 litra karburant, 12.616 ditë pune/vit kohë e shpenzuar), nuk mund të konsiderohet si rritje tarifash, por përkundrazi rezulton një kursim mesatar prej 4170 lekë për qytetar në vit”,- thuhet në njoftimin për shtyp të DPSHTRR-së.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor me këtë rast ka sjellë edhe shembuj të ilustruar, që, sipas saj, tregojnë qartë lehtësimin e shumë praktikave dhe burokracive që lidhen me shërbimet që ofron. Tarifa e pajisjes me leje drejtimi me afat vlefshmërie 10 vite, nga 3500 lekë bëhet 4500 lekë, por afati tashmë zgjatet në 15 vite. (Elona)