Kryediplomati Katz: Izraeli duhet të kontrollojë sigurinë e Gazës në vitet në vijim
2024-02-01 15:56:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se vendi i tij kërkon të mbajë përgjegjësinë e sigurisë në Rripin e Gazës për të paktën disa vjet.

“Kjo duhet të zbatohet derisa të jemi të sigurt se nuk do të vritemi më nga banorët e Gazës”,- tha Israel Katz për gazetën gjermane “Bild”, cilëson “ATSH”.

Duke iu referuar sulmeve të grupit islamik palestinez Hamas ndaj Izraelit, më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1200 persona, Katz tha se Hamasi duhet të eliminohet.

“Është absurde që pas gjithçkaje që ka ndodhur, Izraelit i thuhet se zgjidhja me dy shtete është gjëja e duhur për t’u bërë”,- tha Katz, duke iu referuar këshillave të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe BE-së, se një zgjidhje me dy shtete do të ishte e nevojshme për të zgjidhur konfliktin me palestinezët.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Katz tha se për shkak se palestinezët kishin vrarë hebrenj, palestinezëve nuk do t’u jepej detyra për të qenë përgjegjës për sigurinë e hebrenjve në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, ai hodhi poshtë thirrjet, përfshirë edhe nga qeveria e tij, për një rikolonizim izraelit të Rripit të Gazës pas përfundimit të luftës.

“Izraeli nuk do të qeverisë Gazën ose nuk do të marrë vendime për Gazën. Kjo nuk do të ndodhë. Politika e qeverisë është e qartë, edhe nëse ministra individualë thonë të kundërtën”,- theksoi Katz.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ai theksoi se duhet të krijohet një model së bashku me shtetet arabe dhe vendet e tjera që u mundëson më shumë se 2 milionë palestinezëve në Gaza të jetojnë jetën e tyre në një mënyrë ndryshe nga më parë. (Elona)