Vota e emigrantëve, Celibashi: Nuk mundësohet po s’u plotësua boshllëku ligjor
2024-02-01 11:48:34

Celibashi (Foto Rtsh)

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka bërë të qartë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të mundësojë votën e emigrantëve nëse partitë politike nuk plotësojnë boshllëkun e Kodit Zgjedhor, bën të ditur “RTSH”.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Celibashi tha se votimi nga jashtë nuk mund të rregullohet me aktet nënligjore, pasi kjo nuk është në kompetencën e KQZ-së, por duhet që partitë të plotësojnë boshllëkun në ligj sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse Kuvendi nuk plotëson boshllëkun ligjor sipas vendimit të Gjykatës Kushtuese nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë. Nuk është përgjegjësi e KQZ-së me këtë kuadër rregullator, me këtë kuadër kushtetues e ligjor për të nxjerrë akte nënligjore që të mundësojë votimin nga jashtë. E di që ka qëndrime të ndryshme nga ai i imi, por Kushtetuesja ka vendosur se mungon ligji për votën e emigrantëve. Kur ky ligj mungon, nuk mund të nxjerrësh akte nënligjore të një ligji që nuk ekziston”,- tha Celibashi.

Lidhur me rekomandimin e KQZ-së për mundësimin e votimit elektronik në 5 qarqe,  Celibashi tha se Kuvendi duhet të vendosë sa më shpejt, pasi procesi ka nevojë për një vit kohë përgatitje dhe trajnime, por ka edhe një kosto të lartë.

Celibashi u bëri thirrje për bashkëpunim partive politike, duke thënë se duhet angazhimi i tyre serioz që të arrihen ndryshimet sa më shpejt. (Elona)