Sistemi i pagesave me standardet e BE-së, BB mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor
2024-02-01 12:03:44

Pagesat (Foto Atsh)

Banka Botërore po mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë përparim të dukshëm drejt përafrimit të sistemeve të tyre kombëtare të pagesave me standardet e BE-së, shkruan “ATSH”.

Banka bën të ditur se gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, kanë nevojë për sisteme moderne pagesash për të pasur rritje të qëndrueshme ekonomike.

Sipas Bankës Botërore, këto sisteme brenda vendit, ndihmojnë në përfshirjen financiare, minimizojnë përdorimin e parave të gatshme, zgjerimin e shërbimeve për mallrat dhe pagesat si dhe përshpejtojnë zhvillimin e teknologjisë financiare.

Ndërsa në një rrafsh ndërkufitar, këto sisteme mund të nxisin bashkëveprimin dhe të minimizojnë koston dhe kohën e transaksioneve të tregtisë dhe dërgesave brenda Ballkanit Perëndimor dhe me Bashkimin Europian. (Elona)