Foto nga CFP
Një studim i zhvilluar në Britani zbuloi se angazhimi me muzikë ndihmon në mbrojtjen e shëndetit të trurit në moshat e mëvonshme duke ruajtur kujtesën.
Sipas studimit të publikuar në “International Journal of Geriatric Psychiatry”, shkencëtarët nga Universiteti i Exeter-it hetuan se si plaket truri i njerëzve që merren me muzikë dhe i atyre që nuk janë të përfshirë në muzikë.
Në studim, efektet e luajtjes së instrumenteve, këndimit, leximit të notave, dëgjimit të muzikës dhe talentit muzikor në trurin e njeriut u ekzaminuan në më shumë se 1100 persona të moshës 40-68 vjeç, citon “ATSH”.
Studiuesit krahasuan të dhënat njohëse të personave që ishin marrë me muzikë në jetën e tyre dhe atyre që nuk ishin interesuar kurrë për muzikën. Rezultatet treguan se njerëzit që luanin piano ose organo përfitonin më shumë nga angazhimi në muzikë, por thjesht dëgjimi i muzikës nuk kishte të njëjtin efekt në shëndetin konjitiv.
Është zbuluar se angazhimi me muzikë ndihmon në mbrojtjen e shëndetit të trurit në moshat e mëvonshme duke e mbajtur kujtesën energjike dhe se njerëzit që lexojnë nota muzikore rregullisht kanë memorie më të mirë numerike.
Autorja kryesore e studimit, Anne Corbett, tha se ata aplikuan teste shumë të ndjeshme për këtë hulumtim dhe se janë ekzaminuar funksionet e ndryshme të trurit të njerëzve ndërsa është hetuar edhe efekti i muzikës në këtë kontekst.
Duke theksuar se luajtja e instrumenteve në veçanti ka efekte të mëdha në tru, Corbett tha: “Hulumtimi tregon se si rreziku i njerëzve për demencë mund të reduktohet në mënyrë aktive dhe muzika luan një rol në reduktimin e kësaj”. (Elona)