Gjykata rrëzon opozitën: Marrëveshja me Italinë për emigrantët, në përputhje me Kushtetutën
2024-01-31 15:17:41

Foto RTSH

Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët është në përputhje me Kushtetutën. Ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e opozitës, për ta shpallur të papajtueshme me Kushtetutën.

Në arsyetimin e vet, trupa gjykuese theksoi se akordi nuk e ndryshon integritetin territorial të Shqipërisë në aspektin fizik dhe pala italiane, gjatë ushtrimit të procedurave për skanimin e emigrantëve që kërkojnë azil mund të asistohet nga Shqipëria sipas ligjeve kombëtare, që do të thotë se marrëveshja nuk e cenon sovranitetin e vendit as në aspektin juridiksional, citon “RTSH”.

“Së pari, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Protokolli për Emigracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë. Së dyti, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se në dy zonat që vepron Protokolli për Emigracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane. Konstatohet se e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Republikën e Shqipërisë, që lidhet me çështjet e emigracionit dhe azilit është po ashtu e zbatueshme edhe nga autoritetet italiane për shkak të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare edhe prej Republikës së Italisë. Nën këtë analizë, Gjykata nuk vuri në dyshim ekzistencën e përgjegjësisë së shtetit shqiptar për çështjet që rregullon Protokolli për Emigracionin, që buron jo vetëm nga normat kushtetuese, por edhe nga e drejta ndërkombëtare që rregullon përgjegjësinë e shteteve në kuadër të zbatimit ekstraterritorial të saj. Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar”,- nënvizohet në vendimin e gjykatës.

Për sa i përket fuqisë juridike të qeverisë shqiptare për të negociuar e nënshkruar protokollin “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, Gjykata argumentoi se as në këtë pikë nuk ka shkelje, siç është pretenduar nga opozita, por edhe aktivistë të shoqërisë civile.

Më 6 nëntor 2023, kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.

Sipas marrëveshjes, porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Numri maksimal i refugjatëve që do të qëndrojnë në të njëjtën kohë në kamp nuk do të jetë më shumë se 3 mijë.

Afati i marrëveshjes është 5-vjeçar me të drejtë rinovimi edhe për 5 vite të tjera. (Elona)