Shumë shqiptarë rrezikojnë pensionin, ulen vitet e nevojshme të kontributeve
2024-01-31 15:19:53

Pension (Foto Panorama)

Për të përfituar pension të plotë pleqërie në vitin 2023 duheshin 37.5 vite pune me sigurime të paguara, por ata që dolën në pension kishin mesatarisht vetëm 27 vite pune me sigurime. Mosplotësimi i kriterit të viteve të punë me sigurime ul në mënyrë të jashtëzakonshme përfitimet nga pensioni, shkruan “Panorama”.

Në njërën anë, pensionistët e rinj kanë gjithnjë e më pak vite me kontribute dhe nga ana tjetër, vit pas viti, bashkë me moshën e daljes në pension rritet edhe periudha e viteve me kontribute. Vitin e kaluar duheshin 38 vite sigurime për të përfituar pension të plotë dhe deri në vitin 2030 do të duhen 40 vite për të përfituar pension të plotë.

Por me ritmet aktuale pensionistët shqiptarë nuk do të plotësojnë as gjysmën e viteve me kontribute duke bërë që pagesat e tyre në të ardhmen të jenë shumë të ulëta, gati sa pensioni minimal.

Numri i pensionistëve që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie po rriten me shpejtësi.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2022, pensionistët me pagesë të pjesshme përbënë 48% të totalit të personave që përfitojnë pension pleqërie nga 45% me 2021-shin. (Elona)