Italia prezanton planin për të nxitur për të frenuar ardhjen e emigrantëve
2024-01-31 15:26:17

Meloni (Foto Qeveria Italiane)

Italia premtoi rreth 5.5 miliardë euro (5.96 miliardë dollarë amerikanë) për të mbështetur nismat e saj për të ndihmuar zhvillimin ekonomik në Afrikë, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të reduktuar fluksin e emigrantëve nga Afrika në Europë, bën të ditur “Xinhua”.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e quajti Planin Mattei - pas industrialistit italian Enrico Mattei, i cili luajti një rol kyç në zhvillimin ekonomik të Italisë pas Luftës së Dytë Botërore - një partneritet të ri strategjik me kombet afrikane.

Meloni i bëri komentet gjatë samitit të parë Itali-Afrikë të mbajtur të hënën në senatin italian në Romë me rreth dy duzina liderë afrikanë, së bashku me figurat kryesore nga Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara.

Sipas të dhënave nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, në vitin 2023 u regjistruan më shumë se 270.000 emigrantë në brigjet e Mesdheut, totali më i lartë njëvjeçar që nga viti 2016. Shumica dërrmuese e atyre emigrantëve ishin nga Afrika dhe më shumë se gjysma erdhën në Europë përmes Italisë.

Kryeministrja italiane tha se shuma fillestare prej 5.5 miliardë eurosh do të dalë nga fondi i Italisë për klimën dhe fondi i bashkëpunimit për zhvillim.

Këto fonde do të përdoren për të nënshkruar projekte pilot specifike, si trajnimi profesional dhe reformat e kujdesit shëndetësor në vende të ndryshme afrikane. (Elona)