Indeksi i korrupsionit, Shqipëria e 98-ta: Të forcohet mbikëqyrja e ekzekutivit
2024-01-31 16:30:41

Indeksi (Foto RTSH)

Organizata “Transparency International” e ka renditur Shqipërinë në vendin e 98-të, duke e vlerësuar me një pikë më shumë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në 180 shtete të botës.

Sipas TI-së, Shqipëria vlerësohet me 37 pikë për përparimin e lehtë në luftën kundër korrupsionit, bën të ditur “RTSH”.

“Shqipëria e ka përmirësuar bilancin e saj përmes investigimit dhe hetimit të korrupsionit në nivelet e larta, por progresi më i madh varet te forcimi i legjislacionit të drejtësisë penale dhe garantimi i mbikëqyrjes efektive të pushtetit ekzekutiv. Vendimi për krijimin e një ministrie të re që merret me veprimtaritë antikorrupsion vjen me pritshmëri për mekanizma më efektive të integritetit. Por kjo nuk mund të arrihet derisa parlamenti të ketë autonomi më të fortë dhe deri kur organizatat e shoqërisë civile dhe medies të luajnë rolin mbikëqyrës pa u penguar nga autoritetet”,- thuhet në raportin e organizatës.

Indeksi i përvitshëm i Perceptimit të Korrupsionit dhe raporti për gjendjen e korrupsionit në botë përdorin një sistem llogaritjeje deri në 100 pikë.

Sipas raportit, niveli i korrupsionit në botë mbetet në shifra të larta, ndërsa rendit 180 vende dhe territore sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik, duke shënuar në një shkallë nga 0 (shumë e korruptuar) deri në 100 (shumë e pastër).

TI-ja ka vlerësuar se mbi dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50 nga 100, gjë që tregon fuqishëm se korrupsioni mbetet një problem tejet serioz.

Mesatarja globale, sipas raportit, është 43, ndërsa shumica dërrmuese e vendeve nuk kanë bërë asnjë përparim në luftën ndaj korrupsionit. (Elona)