BE: Fondet ruse do të përdoren për të ndihmuar Ukrainën
2024-01-31 15:29:04

Foto RTSH

Bashkimi Europian po përgatit thithjen e të ardhurave nga fondet e ngrira të Bankës Qendrore Ruse dhe një mekanizëm për të mbajtur fondet për Ukrainën.

Presidenca aktuale belge e Këshillit të BE-së njoftoi se përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare ranë dakord mbi propozimin, citon “ATSH”.

“Ambasadorët e BE-së ranë dakord në parim për një propozim për përdorimin e fitimeve të papritura në lidhje me asetet e pamobilizuara për të mbështetur rindërtimin e Ukrainës”,- njoftoi presidenca belge e BE-së në “X”. Sipas diplomatëve, procedura e rënë dakord parashikon, si hap të parë, të sigurohet që të ardhurat e jashtëzakonshme nga ruajtja e aseteve të Bankës Qendrore Ruse të ruhen veçmas.

Në një hap të dytë është planifikuar transferimi i një pjese të fondeve në Ukrainë. Megjithatë, duhet të hartohen dokumente të tjera ligjore për këtë.

Sipas Komisionit, më shumë se 200 miliardë euro (216 miliardë dollarë) nga Banka Qendrore Ruse janë ngrirë në BE dhe të ardhurat nga interesat e kapitalit janë vazhdimisht në rritje.

Institucioni financiar me qendër në Bruksel, “Euroclear”, njoftoi së fundmi se kishte fituar 3 miliardë euro të ardhura nga interesi vetëm në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar në lidhje me sanksionet ruse.

“Euroclear” është deri tani institucioni më i rëndësishëm në BE që mban asetet e Bankës Qendrore Ruse. (Elona)