Shtëpia e Bardhë: ShBA-ja nuk synon luftë me Iranin pas sulmit në Jordani
2024-01-30 20:39:20

CFP

CFP

Shtëpia e Bardhë theksoi të hënën se Shtetet e Bashkuara nuk do të hyjnë në luftë me Iranin pasi tre ushtarë amerikanë u vranë në Lindjen e Mesme nga një sulm me dron, për të cilin administrata e Joe Biden-it akuzoi milicitë e mbështetura nga Irani.

"Ne nuk po kërkojmë një luftë me Iranin," u tha gazetarëve John Kirby, koordinator për komunikimet strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë një konference të rregullt shtypi në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara "nuk po kërkojnë të përshkallëzojnë" situatën pas sulmit "përshkallëzues" që çoi në vdekjet e para të amerikanëve që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas më 7 tetor.

"Kjo kërkon një përgjigje, mos kini asnjë dyshim për këtë. Por unë nuk do të flas përpara vendimmarrjes së presidentit," u shpreh Kirby.

Në një deklaratë me shkrim të dielën, Biden-i u zotua se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime për të ndëshkuar përgjegjësit për sulmin "në kohën dhe mënyrën që do të zgjedhim ne".

Fjalëve të Kirby-t u bëri jehonë më vonë edhe sekretari i Shtetit Antony Blinken.

"Ne duam të parandalojmë përhapjen e këtij konflikti, kështu që synojmë të bëjmë të dy gjëra: të dalim në mbrojtje të njerëzve tanë kur ata sulmohen, dhe në të njëjtën kohë të punojmë çdo ditë për të parandaluar rritjen dhe përhapjen e konfliktit," vuri në dukje Blinken gjatë një prezantimi për shtypin në Departamentin amerikan të Shtetit ku mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.   (Xu Guang)