Pezullimi i fondeve ndaj UNRWA-s, Mahmoud Abbas apel Perëndimit: Rishqyrtoni vendimin tuaj
2024-01-30 15:25:42

Foto RTSH

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, u ka kërkuar vendeve që kanë ndërprerë fondet për agjencinë e ndihmave të Kombeve të Bashkuara në Gaza që të rishqyrtojnë vendimin e tyre, njofton “RTSH”.

Dhjetë vende perëndimore kanë pezulluar fondet e tyre për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), pasi u ngritën akuza se disa nga anëtarët e stafit të saj ishin të përfshirë në sulmet terroriste të Hamasit të 7 tetorit.

“Pozicione të tilla, nëse mbahen, do të ndëshkonin në mënyrë disproporcionale miliona njerëz tanë pa arsye”,- tha Abbas në një deklaratë për mediat, sipas WAFA-s, agjencia zyrtare e lajmeve palestineze.

Ai akuzoi Izraelin se qëndron pas fushatës kundër agjencisë së OKB-së.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, deklaroi se qeveria izraelite do të kërkojë të ndalojë agjencinë e OKB-së të veprojë në Gazën e pasluftës.

Kryeministri i Autoritetit Palestinez, Mohammad Shtayyeh, deklaroi se shpreson që vendimet jashtëzakonisht të rrezikshme për pezullimin e financimit do të zhbëhen.

Ai tha se vendimi për të pezulluar ndihmën vjen në momentin më të vështirë, në një kohë kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka bërë thirrje për furnizim të menjëhershëm dhe rritje të furnizimeve të ndihmës ndërkombëtare në Gaza. (Fatosi)