Ministri Hasani pret homologun turk: Të forcojmë bashkëpunimin dypalësh, por edhe me partnerët europianë dhe në NATO
2024-01-30 14:35:34

Ministri Hasani takon homologun turk (Foto Atsh)

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, zhvilloi një takim me homologun turk, Hakan Fidan, i cili nisi nga Tirana turin e tij ballkanik, për të diskutuar mbi zhvillimet rajonale e globale, si edhe marrëdhëniet dypalëshe, njofton “RTSH”.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, ministri Hasani deklaroi se Shqipëria dhe Turqia do të forcojnë bashkëpunimin dypalësh, por edhe me partnerët europianë dhe në NATO, për përballjen me sukses me sfidat e sigurisë në të gjitha dimensionet.

Ministri Hasani vlerësoi veçanërisht ndihmën që ka dhënë Turqia ndaj Shqipërisë për tërmetin e vitit 2019, për pandeminë por edhe për krizën energjetike.

“Sot ne zhvilluam takimin e dytë të Grupit për Dialog Politik, një mekanizëm i paraparë nga deklarata e partneritetit strategjik e nënshkruar më 6 janar 2021 në Ankara. Ky takim e forcon edhe më tej karakterin strategjik të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët në rrafshin dypalësh, rajonal dhe global”,- tha ministri Hasani.

Intensifikimi i dialogut politik mes dy vendeve, sipas ministrit Hasani, është shoqëruar me një rritje kuptimplotë bashkëpunimi dypalësh duke e konkretizuar atë me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh në fushën e teknologjisë, transportit, energjisë, mbrojtjes, shëndetësisë, arsimit, mjedisit, kulturës etj.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se objektivi i vitit 2024 do të jetë zhvillimi i Këshillit të parë të Partneritetit Strategjik. Ai theksoi se vëllimi i tregtisë mes Turqisë e Shqipërisë mund të arrijë në rreth 2 miliardë dollarë.

“Ka shumë fusha që do të punojmë në mënyrë të pandërprerë. Përpiqemi si të zhvillojmë mirëqenien. Kemi krijuar disa mekanizma të caktuar. Qëllimi ynë është që brenda 2024-s të zhvillojmë Këshillin e parë të Partneritetit Strategjik. Kjo do të jetë një platformë e rëndësishme për ne. Shpresojmë që vëllimi i tregtisë mes dy vendeve të arrijnë në 2 miliardë dollarë”,- tha kryediplomati turk, i cili theksoi se gjatë takimit me homologun Hasani diskutuan edhe për tema të tjera, si lufta kundër terrorit apo çështjet rajonale.

Gjatë vizitës në Tiranë, në axhendën e ministrit të Jashtëm turk ishte edhe takimi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, si dhe me biznesmenë turq që ushtrojnë veprimtarinë e tyre tregtare në Shqipëri.

Turqia u rendit si investitori i tretë më i madh në vend, pas Holandës dhe Italisë gjatë 9 muajve të parë të vitit 2023, duke krijuar një fluks investimesh në vlerën 126 milionë dollarë, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Ndërmarrjet turke vazhdojnë të kryesojnë në sektorët financiarë, energjetikë, në industrinë nxjerrëse etj.

Pas Tiranës, ministri Fidan do të vizitojë Sofjen dhe Bukureshtin. (Fatosi)