Raporti i FMN-së: Vetëm 38% e popullsisë në moshë pune në Shqipëri paguan sigurime
2024-01-30 15:10:35

Pensioni (Foto Panorama)

Shqipëria po shkon drejt një tranzicioni demografik. Deri në vitin 2070, pesha e të moshuarve pritet të arrijë në 40 për qind të popullsisë në krahasim me vetëm 17 për qind sot, shkruan “Panorama”.

Në të njëjtën periudhë, popullsia e në moshë pune (25-64) parashikohet të bjerë nga 54 aktualisht në 41 për qind në vitin 2070.

Në rishikimin e fundit të marrëveshjes me Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar vë në dukje se, gjeneratat e ardhshme të pensionistëve shqiptarë rrezikojnë varfërinë, pasi nuk përmbushin kriteret për përfitimin e pensionit të plotë.

Informaliteti në tregun e punës do të shfaqet me pasoja negative në të ardhmen afatgjatë.

Në raportin e FMN-së vihet në dukje se në qershor 2022, 1.7 milionë njerëz ishin të moshës 15-64 vjeç, prej të cilëve rreth 38 për qind po kontribuonin te skema e pensioneve dhe pjesa tjetër 60 për qind nuk ishin as kontributorë dhe as pensionistë.

Kohëzgjatja e kontributit për të pasur të drejtën e pensionit të plotë është aktualisht 37.5 vjet aktualisht dhe kufiri për të përfituar një pension të pjesshëm është më i lartë se mesatarja e OECD (34 vjet për një pension të plotë dhe 13 vjet për një pension të pjesshëm).

FMN-ja vë në dukje se kur shumë punonjës janë në informalitet, një periudhë e gjatë kontributesh mund të veprojë si dekurajues për të kontribuar në skemën e pensioneve.  (Fatosi)