Jordani, vriten tre ushtarë amerikanë nga një sulm me dron
2024-01-29 15:59:34

CFP

CFP

Tre ushtarë amerikanë u vranë e 25 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi kamikaz me dronë kundër forcave amerikane të vendosura në pjesën verilindore të Jordanisë në kufi me Sirinë, tha Presidenti Biden të dielën përmes një deklarate. Ai tha se sulmet ishin kryer nga grupe të armatosura të mbështetura nga Irani. 

Por Irani tha të hënën se nuk kishte lidhje me sulmin me drona në Jordani që vrau tre ushtarë amerikanë, njoftoi agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA. 

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha në një deklaratë se Teherani nuk ishte përfshirë në sulmin që shkaktoi vdekjen e  ushtarëve amerikanë në Jordaninë Verilindore pranë kufirit sirian. 

Në një deklaratë të publikuar nga IRNA, misioni tha se "Irani nuk kishte lidhje dhe nuk kishte të bënte aspak me sulmin në bazën amerikane",  duke shtuar që "ka një konflikt ndërmjet forcave amerikane dhe grupeve të rezistencës në rajon, të cilat u kundërpërgjigjen sulmeve hakmarrëse".

Mediat amerikane po raportojnë për një numër më të madh të plagosurish mes trupave amerikane, rreth 35. 

Televizioni shtetëror jordanez citoi një zëdhënës të qeverisë jordaneze, Muhannad Mubaidin, i cili këmbënguli se sulmi ndodhi jashtë mbretërisë, përtej kufirit, në Siri. Zyrtarët amerikanë këmbëngulën se sulmi ndodhi në Jordani. 

Rreth 3,000 trupa amerikane janë të stacionuar në Jordani, një vend që kufizohet me Irakun, Izraelin, territorin palestinez të Bregut Perëndimor, Arabinë Saudite dhe Sirinë. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se krahas 3 ushtarëve të vrarë, u plagosën edhe 25 pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane.