Qeveria amerikane finalizon shitjen e avionëve luftarakë F-16 për Turqinë
2024-01-29 16:11:24

Foto ATSH

Qeveria amerikane ka finalizuar shitjen e avionëve luftarakë F-16 për Turqinë, pas miratimit përfundimtar që Turqia dha për pranimin e Suedisë në NATO, njofton “ATSH”.

Kongresi amerikan është informuar për marrëveshjen e planifikuar të armëve.

Ai nuk duhet të autorizojë marrëveshjen, por ka fuqinë ta bllokojë atë në rast dyshimi.

Megjithatë, kjo konsiderohet e pamundur tani që Turqia ka dhënë miratimin përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Hungaria, anëtare e NATO-s, duhet ende të miratojë zyrtarisht pranimin e Suedisë.

Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan, e kishte lidhur miratimin e vendit të tij me dërgesat e avionëve luftarakë nga SHBA, ndër të tjera. Megjithatë, deri më tani ka pasur rezerva nga Kongresi amerikan.

Avioni luftarak F-16 është një nga avionët ushtarakë më të fuqishëm në botë dhe e kanë disa vende.

Avioni, i prodhuar nga kompania amerikane ”Lockheed Martin”, mund të përdoret si në mbrojtjen ajrore ashtu edhe kundër objektivave në tokë.

F-16 është gjithashtu i aftë të fluturojë në lartësi jashtëzakonisht të ulëta dhe në të gjitha kushtet e motit.

Administrata amerikane e presidentit Joe Biden informoi Kongresin se shitja përfshinte 40 avionë të rinj luftarakë F-16 si dhe paketa modernizimi për 79 avionë F-16 tashmë në posedim të Turqisë.

Paketa ka një vlerë totale rreth 23 miliardë dollarë. (Fatosi)