Dita Ndërkombëtare e Holokaustit, presidenti Begaj: Krenar për vlerat e popullit shqiptar në mbrojtjen e humanizmit
2024-01-29 11:36:06

Presidenti Begaj (Foto Syri.net)

Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si ‪Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave ‪‎të Holokaustit, shkruan ATSH.

Kjo ditë përkujton miliona viktimat e politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqëndrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe antisemitizmin.

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, deklaroi se në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, reflektohet mbi miliona njerëz që u persekutuan dhe u zhdukën në një prej periudhave më të errëta të njerëzimit.

“Krenar për vlerat e popullit shqiptar, i cili kurrë nuk bëri kompromis as edhe me jetën e tij në mbrojtjen e kauzës së humanizmit. Le të na shërbejnë historitë e tyre që të kundërshtojmë me vendosmëri urrejtjen, diskriminimin dhe çdo padrejtësi tjetër në dëm të njerëzimit”,- thekson kreu i shtetit shqiptar.

Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore u strehuan e gjetën shpëtim jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore. (Fatosi)