Ndalohen fondet e OKB-së pas pretendimeve për përfshirje të stafit në sulmet e Hamasit
2024-01-29 12:18:21

Flamuri i organizates se OKB-se (Foto Cna.al)

Disa vende pezulluan përkohësisht financimin e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), për shkak të pretendimeve se 12 punonjës ishin të përfshirë në masakrën e Hamasit në Izrael, njofton “ATSH”.

Komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, tha se Izraeli i kishte dhënë agjencisë informacione që sugjeronin se anëtarët e stafit ishin të përfshirë në sulmin vdekjeprurës të 7 tetorit.

Lazzarini dhe shefi i OKB-së, Antonio Guterres, u shprehën të tmerruar për akuzat, duke thënë se nëse ato vërtetohen, personat e përfshirë do të përballen me ndjekje penale.

“Agjencia shkarkoi stafin në fjalë dhe urdhëroi një hetim”, tha Lazzarini, duke i quajtur të gjitha format e urrejtjes dhe dhunës plotësisht të papranueshme dhe duke thënë se ato nuk do të toleroheshin.

Agjencia e OKB-së nuk bëri të ditur se si punonjësit mund të ishin përfshirë në masakrën në komunitetet kufitare të Izraelit që shkaktoi luftën në Gaza.

Më 7 tetor, më shumë se 1200 persona në Izrael u vranë në sulmet terroriste nga militantët e Hamasit dhe grupet e tjera ekstremiste, dhe më shumë se 250 u rrëmbyen. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e kontrolluar nga Hamasi, si përgjigje, ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 26.000 palestinezë në Gaza dhe ka plagosur më shumë se 64.400 persona.

SHBA-ja, Kanadaja, Australia, Britania e Madhe, Finlanda, Italia dhe vende të tjera kërkuan hetime pasi ndaluan përkohësisht mbështetjen për agjencinë e themeluar në vitin 1949 për të ndihmuar refugjatët palestinezë.

UNRWA-ja ka një staf prej 13.000 personash në Gaza, shumica prej tyre palestinezë, që ofrojnë shërbime mjekësore, arsimore dhe sociale.

Agjencia është aktive në Jordani, Liban dhe Territorin Palestinez. (Fatosi)