Banka e Shqipërisë do të rishtypë monedhat metalike 50 dhe 20 lekëshe
2024-01-28 16:17:00

Banka e Shqiperise (Foto Atsh)

Banka e Shqiperise (Foto Atsh)

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë analizoi veprimtarinë e tij për vitin 2023 dhe miratoi programin e punës për vitin 2024, së bashku me kalendarin e mbledhjeve që do të zhvillojë gjatë këtij viti.

Në njoftimin e publikuar Banka e Shqipërisë, cituar nga “ATSH”, bëhet e ditur se Këshilli Mbikëqyrës miratoi rishtypjen e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor me prerje 50 dhe 20 lekë.

“Ky vendim parashikon rishtypjen e monedhave metalike 50 dhe 20 lekë, me kurs ligjor, me qëllim plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me to, për një periudhë disavjeçare”, njoftoi BSH-ja.

Sipas BSH-së, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë. (Irma)