Agjencia e OKB-së dënon ndalimin e ndihmës
2024-01-28 17:23:08

Foto: Palestinezët e shpërngulur nga sulmet ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës duke ecur nëpër një kamp me tenda të përkohshme në Rafah, 27 janar 2024. / CFP

Kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, tha se vendet që ndaluan financimin për këtë agjenci bëjnë një "dënim kolektiv shtesë" kundër palestinezëve në Gaza. Ai deklaroi se ky veprim kërcënon punën humanitare të agjencisë në rajonin e rrethuar.

Nëntë vende, duke përfshirë Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara dhe Australinë ndaluan pak kohë më parë financimin e agjencisë së OKB-së, e cila u krijua në 1949-ën si një organ ndihmës i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për të mbështetur ndihmën dhe zhvillimin njerëzor të refugjatëve palestinezë gjatë luftës së vitit 1948 kur u themelua Izraeli dhe për të siguruar ndihmën humanitare dhe mbrojtjen e refugjatëve plaestinezë të regjistruar.

foto nga CFP

Philippe Lazzarini, Komisioner i Përgjithshëm i UNRWA-s / foto nga CFP

Vendimi për ndërprerjen e financimit erdhi pasi Izraeli akuzoi disa punonjës të UNRWA-s për pjesëmarrje në një sulm të Hamasi-t ndaj Izraelit Jugor më 7 tetor 2023. UNRWA nisi një hetim mbi punonjësit dhe ndërpreu lidhjet me individët e përfshirë. "Palestinezët në Gaza nuk kishin nevojë për këtë dënim kolektiv shtesë." - tha Philippe Lazzarini, Komisioner i Përgjithshëm i UNRWA-s në “X” (ish-Twitter). "Kjo na njollos të gjithëve". Lazarini shtoi se vendimi i nëntë vendeve kërcënon punën humanitare në të gjithë rajonin, veçanërisht në Gaza.

Agjencia e OKB-së ndihmon sot rreth dy të tretat e popullsisë prej 2.3 milionëshe në Gaza dhe ka luajtur një rol kyç në ndihmën gjatë konfliktit të vazhdueshëm mes Izraelit dhe Hamas-it. (Wang Lei/ Laçi)