Rama: Shërbim dinjitoz për çdo qytetar shqiptar në spitalet publike
2024-01-28 17:09:46

Kryeministri Rama (Foto Atsh)

Kryeministri Rama (Foto Atsh)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se çdo qytetar shqiptar tashmë ka mundësinë të marrë një shërbim shëndetësor dinjitoz në spitalet publike.

Në aktivitetin për autonominë menaxheriale për QSUT dhe 4 spitale rajonale, ku mori pjesë dhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, Rama u shpreh se, ka qenë një nga objektivat strategjikë që mjekëve në shërbimin publik shëndetësor dhe trupës së shërbëtorëve në sistemin publik shëndetësor t’i jepej një fuqi përtej pozicionit të rrogëtarit, shkruan “ATSH”.

“Donim që spitaleve t’u jepnim lirinë që përmes autonomisë menaxheriale të administronim financat e tyre dhe të krijonim mundësinë që mjekët, të gjithë të paguhen me një pagë horizontale nga shteti, por cilido prej tyre që punon më shumë, që operon më shumë që meriton më shumë, të ketë mundësi të paguhet edhe më shumë. Dhe nuk ka asnjë arsye që shërbimi publik mos të jetë zgjedhja e parë edhe e atyre shqiptarëve, që për shkak se i kanë mundësitë e kanë mendjen vetëm te privati”,- deklaroi kryeministri Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se tashmë edhe spitalet shtetërore kanë kushte optimale dhe mjekët janë po ata që punojnë edhe në spitalet private. (Irma)