Fruthi në Shqipëri, ISHP: Vaksinimi, mënyra më e mirë për t’u mbrojtur
2024-01-27 17:58:23

Tomini (Foto Rtsh

Tomini (Foto Rtsh)

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar praninë e rasteve të para me fruth në Shqipëri. Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini, deklaroi për “RTSH”-në u shpreh se fruthi është një sëmundje respiratore dhe si e tillë mund të përhapet nga spërklat, teshtima apo kollitja dhe vetëm vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur.

“Fruthi ka një transmetueshmëri të lartë, që do të thotë se sa më pranë të jemi me njëri-tjetrin, sidomos kur jemi të pavaksinuar, nëse kemi një subjekt me virulencë të lartë sigurisht që ka gjasa që mund të prekemi. Kështu ka ndodhur edhe me rastet e evidentuara deri tani, të cilat kanë kaluar në një ngjitje zinxhir të sëmundjes”,- deklaroi Tomini.

Sipas saj, ka një ndërgjegjësim të mësuesve të sistemit parashkollor dhe në të tilla raste izolimi është i domosdoshëm. Ajo theksoi domosdoshmërinë e këshillimit me mjekun e familjes dhe atë pediatër.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rastet e fruthit në Evropë u rriten 30-fish vitin e kaluar. OBSH-ja paralajmëron se rastet janë ende në rritje dhe nevojiten masa urgjente për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. (Irma)