Shqipëria dhe Italia rinisin bashkëpunimin doganor
2024-01-27 16:17:14

Bashkepunimi doganor me Italine (Foto Rtsh)

Bashkepunimi doganor me Italine (Foto Rtsh)

Drejtori i Administratës Doganore shqiptare, Genti Gazheli, u takua në Romë me drejtorin e Agjencisë italiane të Doganave dhe Monopoleve, Roberto Alesse, dhe komandantin e përgjithshëm të Policisë Financiare, Andrea De Gennaro, ku ranë dakord për nevojën e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, bëhet e ditur në njoftimin zyrtar të Policisë, shkruan “RTSH”.

Bazuar në aktivitetet e nisura kohë më parë me marrëveshjet e ndihmës së ndërsjellë, shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit administrativ, të nënshkruara përkatësisht në vitet 1998, 2003 dhe 2022 dhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, të tre autoritetet doganore kanë vendosur të intensifikojnë më tej përpjekjet e përbashkëta për të garantuar ligjshmërinë dhe sigurinë në aktivitetet tregtare ndërkufitare.

Administratat gjithashtu kanë rënë dakord që në muajt e ardhshëm të nisin programe të shkëmbimit të përvojave, aktivitete trajnimi, edhe në formën e “training on the job” dhe shkëmbimin e praktikave të mira, veçanërisht midis porteve italiane të Ankonës, Barit dhe Brindizit dhe ato shqiptare të Durrësit dhe Vlorës.

Nga ADM-ja tashmë janë planifikuar disa module të shkëmbimit të personelit ndërmjet porteve të Barit dhe Durrësit, të financuara nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), në kuadër të programit të unionit Adriacustoms, tenderuar, fitues i të cilit është Italia.

Policia Financiare, e cila ndodhet prej 25 vitesh në Shqipëri me një mision bashkëpunimi për të parandaluar trafikun e paligjshëm nga deti, do të forcojë nismat në sektorin e doganave nëpërmjet ekspertit të saj në detyrë në Ambasadën në Tiranë.

Këto sinergji janë plotësisht në kuadër të formave të bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve dhe Policisë Financiare, të rinovuara së fundmi me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të firmosur në prill 2023. (Irma)