Greqia krijon vonesa në zbatimin e ligjeve të emigracionit
2024-01-27 16:34:55

Greqia (Foto Panorama)

Greqia (Foto Panorama)

Autoritetet greke shtynë për në muajin prill fillimin e zbatimit të Kodit të ri të Emigracionit, ndryshe nga sa ishte parashikuar të vepronte prej 1 janarit të këtij viti, shkruan “Panorama”.

Kodi ishte miratuar vitin e shkuar nga Parlamenti grek dhe sjell lehtësim të procedurave ligjore, si në marrjen e lejeve të qëndrimit edhe në sektorin e punësimit sezonal të emigrantëve, duke njësuar bazën ligjore për emigracionin me vendet e BE-së.

Ndërkohë, për një tjetër ligj për emigracionin e parregullt, që u miratua mesin e dhjetorit të vitit të shkuar nga Parlamenti grek, ende nuk kanë dalë nga Ministria e Brendshme greke dhe Ministria e Emigracionit qarkoret përkatëse për fillimin e zbatimit.

Ligji mundëson legalizimin e emigrantëve të parregullt që jetojnë prej tre vitesh në mënyrë të pandërprerë në Greqi dhe që kanë një ofertë nga një punëdhënës. Kjo kategori emigrantësh pajiset me lejeqëndrime trevjeçare duke u siguruar akses dhe në shërbimet sociale. Te kjo kategori hyjnë edhe emigrantët shqiptarë pa dokumente të rregullta qëndrimi, përfshirë edhe ata që kanë hyrë ilegalisht në Greqi, por edhe një kategori tjetër që kanë hyrë si vizitorë, ose për të punuar në mënyrë sezonale dhe nuk kanë mundur të ripërtërijnë lejen e qëndrimit për arsye të ndryshme.

Platformat elektronike të aplikimeve për këtë kategori, që prek sipas statistikave greke mbi 30 mijë shqiptarë, ende nuk janë hapur, megjithëse ligji duhet të niste zbatimin më 1 janar të këtij viti.  (Irma)