Në Torrën Veneciane nisi programi i edukimit informal përmes trashëgimisë kulturore
2024-01-26 15:53:44

Torra Veneciane (Foto Pinterest)

Torra Veneciane (Foto Pinterest)

Në Torrën Veneciane në Durrës startoi programi i edukimit informal përmes trashëgimisë kulturore, si një bashkëpunim midis Qendrës Muzeore dhe Zyrës Vendore Arsimore.

Ky program synon t’u mundësojë të gjithë nxënësve të shkollave të qytetit të Durrësit njohjen me këtë monument, që tashmë është shndërruar në një qendër interpretimi të trashëgimisë së qytetit antik, shkruan “ATSH”.

Titullarët e të dy institucioneve nënshkruan, në kuadrin e këtij programi, një marrëveshje bashkëpunimi, veprimi i së cilës do të shtrihet edhe gjatë vitit të ardhshëm shkollor.

Torra Veneciane ishte një nga vendet e Trashëgimisë Kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Punimet e rinovimit u fokusuan në ruajtjen e tipareve origjinale të ndërtesës dhe restaurimin e komponentëve kryesorë duke e përshtatur me standardet bashkëkohore.

Torra Veneciane është pjesë e kalasë bizantine të Durrësit, e shpallur monument kulture i kategorisë së parë, e cila konsiderohej si një nga kështjellat më të fuqishme të bregut perëndimor të detit Adriatik.

E ndërtuar në majë të kalasë bizantine, torra i përket shekullit XV dhe është e pajisur me topa që mbronin qytetin nga deti. Në fakt, ajo u ndërtua si një kullë e projektuar posaçërisht për artileri dhe shërbeu si një pikë kryesore vëzhgimi e zonës përreth. (Irma)