Danimarka pranon rolin në sulmet ajrore të NATO-s në vitin 2011 që vranë 14 civilë në Libi
2024-01-26 14:47:36

Libia (Foto Rtsh)

Danimarka ka pranuar rolin e saj në sulmet ajrore të NATO-s në Libi në vitin 2011, ku 14 persona mbetën të vrarë.

Ministria daneze e Mbrojtjes njoftoi se do të nisë një rishikim pasi dolën prova që tregojnë se forcat e saj ajrore morën pjesë në sulmet ajrore në Libi që vranë 14 civilë në vitin 2011, hera e parë që ndonjë nga 10 vendet e përfshira në fushatën e bombardimeve të NATO-s ka pranuar një lidhje të mundshme me viktima joluftarake, shkruan “RTSH”.

“Ministrja e Mbrojtjes i ka kërkuar Komandës së Mbrojtjes që të vlerësojë nëse dokumentet në fjalë tregojnë se ka pasur pasoja të përmasave të tilla që një hetim duhet të ishte kryer në atë kohë brenda kornizës së koalicionit apo NATO-s”,- tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrotjes së Danimarkës.

Dokumentet e publikuara nën lirinë e informacionit tregojnë se forcat ajrore daneze kishte arritur në përfundimin privatisht që në vitin 2012 se dy sulme F-16 ishin të lidhura me raportet e viktimave civile të përpiluara nga OKB-ja, media dhe grupet e të drejtave të njeriut.

Një sulm ajror në Surman, gati 40 milje në perëndim të Tripolit, më 20 qershor 2011 vrau 12 civilë, duke përfshirë pesë fëmijë dhe gjashtë anëtarë të një familjeje. Ndërsa bombardimi i një blloku apartamentesh në Sirte, Libia qendrore, më 16 shtator 2011 vrau dy persona, një burrë dhe një grua shtatzënë në muajin e pestë.

Marc Garlasco, këshilltar i Komisionit Ndërkombëtar të Hetimit, të krijuar nga OKB-ja për Libinë, i cili hetoi shkeljet e të drejtave të njeriut nga të gjitha palët në konflikt, tha se ai i gjeti zbulimet në dokumente mjaft të turpshme, sepse NATO-ja kishte refuzuar t'u përgjigjej pyetjeve në lidhje me civilët viktima në atë kohë. (Irma)