Ministrja e Bujqësisë takon përfaqësuesit e blegtorëve të disa zonave të vendit
2024-01-26 14:38:00

Ministrja Denaj (Foto Rtsh)

Ministrja Denaj (Foto Rtsh)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, u takua me përfaqësuesit e blegtorëve të disa zonave të vendit, me të cilët diskutoi për problematikën e çmimit të produktit, si pjesë e marrëdhënieve kontraktuale që duhen respektuar, si dhe vështirësitë në sigurimin e kullotave dhe sigurimin e ujit, shkruan “RTSH”.

Ministrja vuri në dukje se dialogu dhe bashkëpunimi mes aktorëve, blegtorëve dhe përpunuesve, si dhe respektimi i kontratave mes tyre, është faktori bazë i zhvillimit dhe sigurimit të zinxhirit të ushqimit.

“Bashkëpunimi mes grupeve të interesit do të ndikojë në rritjen e konsumit të prodhimeve vendase duke pasur parasysh numrin në rritje të turistëve që pritet të vizitojnë Shqipërinë”,- tha Denaj.

Ministrja theksoi se siguria ushqimore është prioritet dhe një objektiv prioritar i punës për të gjurmuar në kohë reale dhe siguruar për vërtetësinë e etiketës dhe cilësisë së produktit.

Ajo shprehu besimin se vetëm me bashkëpunim mes blegtorëve dhe përpunuesve dhe me rregulla të qarta loje të një ekonomie të hapur tregu, mund të ecet përpara. (Irma)