Katari: Kryeministri izraelit po minon përpjekjet për ndërmjetësimin e dialogut
2024-01-26 15:10:18

Foto RTSH

Katari shprehu shqetësimin se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po minon përpjekjet e ndërmjetësimit në luftën me Hamasin.

Ky qëndrim vjen pas publikimit në media të një audioregjistrimi, ku kryeministri Netanyahu kritikonte vendet e Gjirit, midis tyre edhe Katarin, të cilin e ka cilësuar si problematik, shkruan “RTSH”.

“Këto vërejtje, nëse vërtetohen, janë të papërgjegjshme dhe shkatërruese për përpjekjet për të shpëtuar jetë të pafajshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari.

Netanjahu nuk ka bërë një koment publik në lidhje me regjistrimin, por një zyrtar izraelit deklaroi për mediet se Izraeli punon me Katarin si ndërmjetës me Hamasin për lirimin e pengjeve, për shkak të lidhjeve të ngushta me këtë organizatë terroriste.

Regjistrimi audio, që u transmetua në “Channel 12” të Izraelit të martën mbrëma, pretendohet se vjen nga një takim me familjen e pengjeve. Zëri që i atribuohet Netanyahut thotë se Katari nuk po bën mjaftueshëm për të ushtruar presion mbi Hamasin për të liruar pengjet. (Irma)