Lufta Izrael-Hamas, Cameron: Zgjidhja e duhur është krijimi i dy shteteve
2024-01-26 16:06:13

Cameron - Netanyahu (Foto Atsh)

Cameron - Netanyahu (Foto Atsh)

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ku përsëriti thirrjen për një pauzë të menjëhershme humanitare dhe për nevojën për një zgjidhje me dy shtete, pasi kryeministri izraelit refuzoi thirrjet e aleatëve për një shtet palestinez, shkruan “ATSH”.

Cameron kërkoi nga Izraeli të hapë më shumë pika kalimi drejt Gazës, për të lejuar që të arrijë ndihma e rëndësishme humanitare.

Ai gjithashtu bëri thirrje për mbrojtjen e mjekëve dhe spitaleve pas shkatërrimit të tyre në luftën në Gaza të shkaktuar nga gjakderdhja e Hamasit në Izrael më 7 tetor.

Netanyahu ka mbajtur kundërshtimin e tij ndaj shtetësisë palestineze pavarësisht thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të punuar drejt një zgjidhjeje me dy shtete pas konfliktit.

Cameron përsëriti mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për përpjekjet e Izraelit për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura, që besohet të jenë rreth 130, të mbajtur ende nga Hamasi. (Irma)